AROMA E BALLAKUMEVE "PUSHTON" QYTETIN E ELBASANIT

"Dita e Verës", një festë pagane e cila nga viti në vit po merr përmasa të mëdha, të gjitha pikat ku tregtohen ëmbëlsira të ndryshme tashmë janë mbushur me porosi të shumta për ëmbëlsirën e kësaj dite, ballakumen.

Aroma e ballakumeve "pushton" qytetin e Elbasanit
Postuar më 10.03.2011 14:12:24 UTC
Përditësuar më 10.03.2011 14:14:17 UTC

Kur kanë mbetur edhe katër ditë nga festa e madhe e qytetit, "Dita e Verës", një festë pagane e cila nga viti në vit po merr përmasa të mëdha, të gjitha pikat ku tregtohen ëmbëlsira të ndryshme tashmë janë mbushur me porosi të shumta për ëmbëlsirën e kësaj dite, ballakumen. Aroma e kësaj ëmbëlsire ka "pushtuar" qytetin.

Ballakumja, ëmbëlsira tradicionale dhe e papërsëritshme në asnjë qytet tjetër, vazhdon të "mbretërojë".

Por duket se kërkesat sa vijnë e rriten. Olsi, i cili ka një ëmbëltore në qendër të qytetit, ka më shumë se një javë që ka nisur punën.

Edhe pse receta e ballakumes tashmë njihet nga të gjitha amvisat në mbarë vendin, asnjëherë shija dhe pamja e kësaj ëmbëlsire nuk ngjason me atë që gatuajnë elbasanllinjtë.

Por si ka ardhur kjo ëmbëlsirë në qytet, e pikërisht e shoqëruar me festën pagane të Ditës së Verës.

Dita e Verës është krijuar që në kohët e lashta. Nga gojëdhënat flitet se ka qenë një femër e shenjtë, që quhej "Diana e Kandavisë”, e cila ishte perëndeshë e gjuetisë në lashtësi, duke përshkruar të gjithë natyrën e zonës së Çermenikës.

Që në atë kohë kur Diana e shenjtë u shfaq në pyjet e Çermenikës e më tej filloi të festohej dita e verës, për të arritur deri në ditët e sotme, ku me qindra njerëz e festojnë ditën e verës në pyje e në kodra.

Por ballakumja lindi si një domosdoshmëri, pasi Dita e Verës, e donte patjetër një ëmblësirë të veçantë.

Etnologu Thanas Meksi shpjegon se "në fillim amvisat nisënn të gatuanin revaninë, e cila ngjason me shijen e ballakumes, por ka tjetër formë. Shumë kohë më pas u krijua ballakumja, e cila gatuhej vetëm nga banorët e rrethinave të Elbasanit Çemenikës, si dhe në trevat që e rrethojnë”.

Madje amvisat një shekull më parë u bënë edhe supersticioze, ato nuk i piqnin ballakumet në furrë, por në shtëpitë e tyre me saç, pasi mendonin se po t'i shikonte syri i lig ballakumet binin shpejt dhe bëheshin "tuç".

Gjatë gatimit nuk përfliteshin, por thuheshin formula, ndryshe merrej në sysh ëmbëlsira. Çdo fazë e gatimit të revanisë e ballakumeve, tretja e gjalpit, rrahja me sheqerin, futja e vezëve dhe e miellit të misrit dhe pak të grurit, rrahja e vazhdueshme me lugë druri shoqërohej me thithje buzësh, që jepte një fishkëllimë karakteristike e cila largonte "qoftëlargun".

Por cili është sekreti që ballakumja e Elbasanit ka një aromë dhe shije të veçantë në llojin e gatimit? Olsi Duka, specialisti i gatimit të ballakumes, thotë për ATSH se "kemi dy lloj gatimi të ballakumes, me brumë, e cila përgatitet me miell gruri e pak sheqer, si dhe ballakumja e sheqerit, që në Elbasan është sinonimi i "Ditës së Verës".

Ballakumja e brumit gatuhet dhe u dhurohet djemve që bëhen synet, ose kur shkonin ushtar. Kjo lloj ëmbëlsire nuk gatuhet shpesh.

Ndërsa ballakumja e Ditës së Verës vazhdon të gatuhet dhe e veçanta e saj është se harxhet për të përgatiten në një tenxhere bakri.

Mielli i misrit, veza, gjalpi i tretur, e pak finjë, trazohen me lugë druri. Masa e fituar nga të rrahurit me lugë ndahet në pjesë në formë kokrash e futet në furrë. Sekreti i gatimit të ballakumes është rrahja me dorë e pjekja në furrë druri.

Edhe para një shekulli, por edhe tani gjalpi i fshatit Polis, është më i miri për gatimin e ballakumeve, pasi duke qenë një zonë malore dhe kullota është me trëndelinë, tërfil si dhe shumë lule aromatike, ballakumja ka një erë e cila përhapet në të gjithë zonën ku gatuhet kjo ëmbëlsirë.

Është pikërisht kjo aromë e veçantë që ka "pushtuar" qytetin në këto ditë para festës së madhe "Ditës së Verës".